Creative Direction apo Content Asset Management? Janë dy shërbime të ndryshme.

Picture of Written by

Written by

ZOE AGENCY

Description

Klient i dashur,
Një nga keqkuptimet më të zakonshme në industrinë tonë është ideja se kushdo që menaxhon përmbajtjen, krijon automatikisht edhe drejtimin kreativ të saj.

Nuk është kështu.

Të organizosh, përshtatësh dhe publikosh materialet e një marke është një proces i rëndësishëm. Por të vendosësh se çfarë bote vizuale duhet të ndërtojë ajo markë, çfarë historie duhet të tregojë dhe si duhet të ndihet komunikimi i saj është një tjetër nivel pune. Të dyja janë të nevojshme. Por nuk janë e njëjta gjë dhe nuk duhet të prezantohen, planifikohen apo vlerësohen financiarisht sikur të ishin.

Fillojmë nga A: Çfarë është Content Asset Management?

Content Asset Management është menaxhimi i materialeve që biznesi ka ose prodhon: fotografi, video, grafika, tekste, formate për postime dhe story.

Në praktikë, ky shërbim mund të përfshijë:

  • organizimin e materialeve;
  • përzgjedhjen e fotografive dhe videove;
  • përshtatjen e tyre për formatet e rrjeteve sociale;
  • krijimin e kalendarit të përmbajtjes;
  • copywriting-un;
  • planifikimin dhe publikimin;
  • ruajtjen e një ritmi dhe pamjeje të qëndrueshme.

Ky proces i jep markës vazhdimësi. Siguron që komunikimi të mos ndalet, që materialet të përdoren në mënyrë të zgjuar dhe që kanalet online të menaxhohen me kujdes. Për shumë biznese, kjo është pikërisht ajo që nevojitet. Biznesi e ka identitetin, e ka drejtimin, e di se si dëshiron të komunikojë dhe kërkon një ekip që ta zbatojë këtë sistem mirë.

Vazhdojmë tek problemi: Çfarë është Creative Direction?

Creative Direction fillon përpara se të krijohet materiali.
Nuk pyet vetëm: “Çfarë do të postojmë këtë muaj?” Pyet: “Çfarë duhet të bëjë njerëzit të ndiejnë kjo markë? Çfarë duhet të kujtojnë? Si do ta dallojnë mes të tjerave?”

Drejtimi kreativ përcakton idenë qendrore dhe mënyrën si ajo do të përkthehet në çdo element të komunikimit. Ai mund të përfshijë:

  • konceptin kreativ;
  • narrativën dhe tonin e zërit;
  • drejtimin vizual;
  • moodboard-et;
  • referencat e fotografisë dhe videos;
  • dritën, ngjyrat, skenografinë dhe stilimin;
  • strukturën e një fushate;
  • drejtimin e ekipit gjatë prodhimit; këtu hyjnë profesionistët
  • kontrollin që rezultati final të ruajë idenë fillestare.

Creative Direction nuk është thjesht të zgjedhësh disa imazhe të bukura në Pinterest. Ok, mund të bazohesh për frymën kreative aty por është shumë më shumë.

Pra: ekzekutimi menaxhon materialin. Drejtimi krijon arsyen e tij.

Pse ky dallim ka rëndësi për klientin?

Sepse pritshmëritë duhet të përputhen me shërbimin.

Nëse një biznes kërkon vetëm menaxhim, por pret që agjencia të ripozicionojë markën, të konceptojë vazhdimisht fushata dhe të drejtojë çdo prodhim, ai po kërkon në praktikë një tjetër nivel pune. Në ZOE përpiqemi ta bëjmë këtë dallim që në fillim. Jo për ta komplikuar propozimin, por për ta bërë bashkëpunimin më të ndershëm.

Nuk dua që termat kreativë të përdoren vetëm sepse tingëllojnë mirë në një propozim. Dua që klienti të kuptojë çfarë po merr, ekipi të dijë çfarë duhet të ndërtojë dhe puna të ketë hapësirën e nevojshme për t’u bërë siç duhet.

E.

FB
IN